Untitled Document
Gjuha/Јазик/Language: Shqip | Македонски | English
Fillim
12/11/2025
Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë – projekt i ri për luftën kundër korrupsionit në shëndetësi

Fillon zbatimi i projektit "Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi", qëllimi kryesor i të cilit është ndërtimi i një sistemi shëndetësor transparent dhe të përgjegjshëm që u përgjigjet nevojave të të gjithë qytetarëve, veçanërisht grave dhe grupeve të margjinalizuara. Bëhet fjalë për një iniciativë kombëtare që bazohet në tre aktivitete kryesore – trajnime për punonjësit shëndetësorë për forcimin e rolit të tyre në luftën kundër praktikave korruptive, rritjen e vetëdijes së qytetarëve për njohjen dhe raportimin e korrupsionit, si dhe reformën e politikave dhe proceseve në shëndetësi.

Projekti, i cili do të zgjasë 18 muaj, zbatohet nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE, në partneritet me Asociacionin Maqedonas të Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO). Përmes aktiviteteve do të synohen drejtpërdrejt 1.850 gra nga grupet e margjinalizuara, rreth 700 punonjës shëndetësorë, 30 përfaqësues nga institucionet kompetente publike dhe 90 gazetarë, por edhe publiku i gjerë.

"Korrupsioni është një nga problemet më serioze në shtet, dhe kjo reflektohet veçanërisht në shëndetësi, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij sektori dhe rëndësinë e tij për çdo qytetar. Sipas një hulumtimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 46 për qind e amvisërive paguajnë nga xhepi për shërbime shëndetësore edhe pse shpenzimet publike për shëndetësinë po rriten vazhdimisht. Hulumtimi ynë, nga ana tjetër, tregoi se 95 për qind e grave rome dhe grave nga zonat rurale paguajnë për kontrolle gjinekologjike primare, edhe pse ky shërbim duhet të jetë falas. Këto shifra tregojnë se është e nevojshme që të gjithë së bashku si shoqëri të punojmë për çrrënjosjen e korrupsionit në shëndetësi", thotë Jasminka Frishçiq, drejtoreshë ekzekutive e ESE-së.

"Ne si punonjës shëndetësorë nuk guxojmë të mbyllim sytë para faktit se korrupsioni është i pranishëm në shëndetësi. Përkundrazi, konsideroj se duhet të përfshihemi drejtpërdrejt në të gjitha aktivitetet që synojnë njohjen dhe parandalimin e veprimeve korruptive. Në këtë mënyrë do t'i mbrojmë pacientët, por do të mbrojmë edhe veten dhe reputacionin e profesionit tonë. Të gjitha gratë duhet të kenë qasje të barabartë në shërbime gjinekologjike të rregullta dhe cilësore dhe besoj se përmes punës në këtë projekt do ta arrijmë atë qëllim", tha Dr. Gligor Tofoski, kryetar i Asociacionit Maqedonas të Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO).

Me qëllim të një shtrirjeje më të gjerë kombëtare të aktiviteteve të planifikuara, në zbatim janë përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile "Majka" nga Kumanova, "Stanica P.E.T." nga Prilepi, "Forumi i Grave" nga Tetova dhe "Iniciativa Qytetare e Grave" nga Sveti Nikolla. Zbatimi i projektit "Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi" mbështetet nga Expertise France përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim.

 
Untitled Document
Foto galeria



Untitled Document
 
 
© Women's Forum - Tetovë, Macedonia 2011